Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.07.2025, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 56/2024, datë 27.12.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Eranda Laze.
Fillimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme iu përgjigj pyetjeve që relatori i çështjes i pati drejtuar në seancën e mëparshme, të datës 25.06.2025, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit kërkoi të pranohet në cilësinë e provës një dokument i lëshuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, i cili u refuzua nga trupi gjykues në seancën e datës 25.06.2025, duke i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit ta paraqiste në formën e kërkuar nga ligji, nëse e konsideronte të rëndësishme për çështjen. Trupi gjykues, pasi dëgjoi qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i cili shprehu dakordësinë që ky akt t’i nënshtrohej debatit gjyqësor, vendosi pranimin e kërkesës.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato të paraqisnin konkluzionet e tyre përfundimtare për çështjen.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Eranda Laze, gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë e saj dhe të personave të lidhur me të. Z. Adnan Xholi vlerësoi bindëse shpjegimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës, ndërsa përsëriti qëndrimin e tij se znj. Laze ka treguar mangësi në tregimin e një kujdesi të shtuar në veprimtarinë jashtëgjyqësore. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Eranda Laze.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se Komisioneri Publik në ankimin e tij nuk ka arsyetuar konform ligjit dhe provave në dosje, se ky ankim ka karakter hipotetik e paragjykues dhe si i tillë, nuk mund të jetë shkak për marrjen e një vendimi shkarkimi nga detyra. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë të gjitha provat në dosje dhe pasi t’i vlerësojë ato, të vendosë rrëzimin e ankimit të Komisionerit Publik si të pabazuar në ligj, si dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024.
Pasi dëgjoi konklzuionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 29.07.2025, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.