2026-02-27 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 03.02.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 54/2023, datë 14.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 698, datë 15.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gjergji Tako.
Kryesuesja e seancës gjyqësore bëri me dije se, në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së datës 15.12.2025, në Kolegj kanë mbërritur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë aktet e kërkuara lidhur me denoncimin e shtetasit A. L dhe palët kanë ushtruar të drejtën e njohjes me to. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme shprehu dakordësinë për pranimin e tyre në cilësinë e provës, ndërsa deklaroi se lidhur me vlerën provuese të tyre do të shprehet në konkluzionet përfundimtare.
Lidhur me këtë denoncim, subjekti i rivlerësimit paraqiti një material shpjegues shtesë dhe akte të reja bashkëlidhur, sipas tij, në funksion të një hetimi më të plotë, të cilat kërkoi të pranohet në cilësinë e provës.
Trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e dërguara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lidhur me procedimin penal në ngarkim të shtetasit A. L, të trajtuar në denoncimin e depozituar në Kolegj po nga ky shtetas; si dhe materialin shpjegues shtesë me aktet bashkëlidhur të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit në seancën e sotme, në përgjigje të denoncimit.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu referuar kriterit të vlerësimit profesional, pas vlerësimit të provave, i ndau shkaqet e ankimit në dy grupe, duke sqaruar se një pjesë e tyre janë shëruar, ndërsa në pjesën tjetër evidentohen mangësi dhe problematika që dëshmojnë për një mënyrë pune të pakorrigjueshme nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës dhe që duhet të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes, së bashku me problematikat e rezultuara nga një denoncim i publikut dhe sjelljet e evidentuara jashtë ushtrimit të funksionit në raport me zbatimin e ligjit, të cilat cenojnë etikën e magjistratit.
Përfundimisht, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, bazuar në nenin 61, pika 5 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 698, datë 15.09.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gjergji Tako.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se mangësitë e vërejtura, jo vetëm që nuk kanë sjellë cenim të besimit të publikut apo cenim të të drejtave të ndonjë individi, por ato janë thjesht formale, pa asnjë pasojë materiale dhe se masa disiplinore e shkarkimit do të ishte në disproporcion të dukshëm me natyrën e këtyre shkeljeve. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit, pasi parashtroi qëndrimin e tij lidhur me një denoncim nga publiku, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 698, datë 15.09.2023.
Pasi dëgjoi qëndrimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 27.02.2026, ora 09:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.