Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.23/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 46, datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, palët parashtruan konkluzionet përfundimtare rreth çështjes në gjykim. Komisioneri Publik vlerësoi se edhe pas akteve të reja të shqyrtuara gjatë procesit, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive të tij dhe se parashtrimet e tij mbetën në nivel deklarativ.
Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 46, datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori.
Subjekti i rivlerësimit Xhezair Zaganjori kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik, duke deklaruar se të gjitha të dhënat, faktet, rrethanat, provat e reja të depozituara prej tij gjatë procesit, i kundërpërgjigjen të gjitha shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.
Trupi gjykues pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare, vendosi të shpallë vendimin përfundimtar ditën e premte, më 26 korrik 2019, ora 11.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.”
***
Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17.07.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.29/2018, datë 05.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentian Medja.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Komisioneri Publik paraqiti opinionin e tij mbi projekt – metodologjinë e hartuar nga Kolegji, duke vlerësuar se është e plotë nga pikëpamja strukturore, por që të konsiderohet e zbatueshme në funksion të hetimit të duhur të çështjes, nevojitet edhe administrimi në cilësinë e provës i tri burimeve të vlerësimit:
dosja personale e magjistratit, z. Gentian Medja;
mendimi i kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë;
informacion me shkrim nga Shkolla e Magjistraturës.
Nga ana e tij, subjekti i rivlerësimit shprehu kundërshtimin e tij në lidhje me përdorimin e kësaj projekt – metodologjie për kryerjen e procesit të rivlerësimit në drejtim të kriterit professional, duke i konsideruar elementët e saj, në tejkalim të kompetencave të Kolegjit, por edhe të shkaqeve të ankimit.
Trupi gjykues, pasi u tërhoq për vendimmarrje, vendosi të hetojë sipas kërkesës së Komisionerit Publik, duke i kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dokumentacion si më poshtë:
– dosjen personale të magjistratit, z. Gentian Medja dhe mendimin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë;
dhe Shkollës së Magjistraturës, informacion me shkrim për magjistratin, subjektin e rivlerësimit Gentian Medja.
Për sa më sipër, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 26 korrik 2019, ora 13.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.