Seancë publike

Seancë publike

2022-11-09 11:00 - 13:00

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.11.2022, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 18/2020, datë 02.06.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Hajrie Muçmata kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 209, datë 11.11.2019.

Subjekti i rivlerësimit u dëgjua nga trupi gjykues, teksa paraqiti kundështimet lidhur me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 209, datë 11.11.2019, duke deklaruar se ky vendim është i paligjshëm, i bazuar në referenca tërësisht të gabuara, informacione tërësisht të pavërteta dhe është marrë në shkelje të hapur të procesit të rregullt ligjor.

Në këtë kuadër, subjekti i rivlerësimit, znj. Hajrie Muçmata, i paraqiti një sërë kërkesash trupit gjykues, i cili, pasi u konsultua, vendosi:

-     Në bazë të nenit F, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës dhe të nenit 45, të ligjit 84/2016, të çelë hetimin gjyqësor të cështjes dhe të marrë në cilësinë e provës aktet bashkëlidhur ankimit të datës 22.05.2020 dhe parashtrimeve të paraqitura dhe depozituara në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit në datën 13.06.2022.

-     Të refuzojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për konstatitmin e pavlefshmërisë së vendimit nr. 209, datë 11.11.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit – në këtë fazë të procesit – pasi e konsideron këtë kërkim si një çështje që do të marrë zgjidhje në vendimin përfundimtar të Kolegjit.

-     Të refuzojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për pezullimin e gjykimit në Kolegj, pasi në kuptim të nenit 297 të Kodit të Procedurës Civile, zgjidhja e çështjes objekt shqyrtimi mund të kryhet pavarësisht zgjidhjes së një çështjeje penale, të regjistruar në Gjykatën e Lartë.

-     Lidhur me kërkesën për kryerjen e një analize të re financiare, në kushtet kur ky aspekt i vendimit objekt shqyrtimi, është pjesë e shkaqeve të ankimit, trupi gjykues do ta kryejë atë nëpërmjet Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe do t’ia nënshtrojë vlerësimit për marrjen e vendimit përfundmitar për çështjen që do të pasqyrohet në vijim, në vendimin e arsyetuar të Gjykatës.

Me kërkesë të subjektit të rivlerësimit, znj. Hajrie Muçmata, trupi gjykues vendosi të administrojë si provë edhe 6 foto të depozituara prej saj, gjatë seancës së sotme, për një prej pasurive të deklaruara.

Pasi trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes, ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqiste kërkimin përfundimtar lidhur me çështjen.

Subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit, që nëse nuk konstaton në këtë moment pavlefshërinë absolute të vendimmarrjes, ta gjejë të padrejtë shkarkimin nga detyra; të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 209, datë 11.11.2019 dhe të konfirmojë në detyrë subjektin e rivlerësimit znj. Hajrie Muçmata.

Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të cështjes dhe të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15 nëntor 2022, në orën 14:30.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

Related upcoming events

  • 2022-12-13 10:49 - 2022-12-13 10:49

    Ditën e martë, më datë 13.12.2022, ora 10:00, do të gjykohet në seancë gjyqësore publike çështja (JR) nr. 50/2020, datë 18.11.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 257, datë 12.06.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Miranda Andoni.

    Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:

    Kryesuese: Natasha Mulaj

    Relator: Sokol Çomo

    Anëtarë: Ina Rama, Albana Shtylla, Mimoza Tasi

    Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.