Seancë publike

Seancë publike

2024-09-30 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 30.09.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 56/2023, datë 01.12.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 703, datë 28.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Suela Salavaçi.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e saj në detyrë lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë profesional. Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit që pas një vlerësimi tërësor të çështjes bazuar në nenin 4, pika 2 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 693, datë 10.08.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike dhe i kërkoi Kolegjit t’i konsiderojë të papranueshme, pasi bien ndesh me ligjin dhe provat. Në mbështetje të pretendimeve të saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi depozitoi disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Lidhur me këto akte, Komisionerja Publike deklaroi se, sa i përket anës formale, e lë në çmim të gjykatës marrjen ose jo të tyre si provë, ndërsa, sa i përket provueshmërisë së tyre, do të shprehej në konkluzionet përfundimtare.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimin gjyqësor të çështjes dhe pranimin në cilësinë e provës të akteve të depozituara gjatë seancës së sotme nga subjekti i rivlerësimit.
Lidhur me disa denoncime të ardhura pas ankimit, trupi gjykues vendosi të mos hetojë, pasi nuk përmbajnë shkaqe ose rrethana të mjaftueshme për hetime të mëtejshme.
Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj një seksioni pyetjesh sqaruese të vëzhguesit ndërkombëtar të monitorimit në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Duke qenë se palët kërkuan kohë të arsyeshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 07.10.2024, ora 10:00.
Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.