Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 05.05.2025, ora 12:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 25/2024, datë 03.07.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 760, datë 26.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ardiana Bera.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se në periudhën kohore mes seancës së mëparshme të datës 09.04.2025 dhe seancës së sotme, konkretisht më datë 30.04.2025, subjekti i rivlerësimit, znj. Ardiana Bera, ka dërguar në Kolegj disa akte të reja që lidhen me të ardhurat e vëllait të saj nga punësimi në Angli dhe një kërkesë për riçelje të hetimit, me qëllim administrimin e tyre.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme z, Adnan Xholi, pasi konfirmoi njohjen me to, paraqiti qëndrimin e tij për pranimin e kërkesës së subjektit të rivlerësimit për riçelje të hetimit dhe pranimin si provë të akteve të depozituara që sipas tij, janë në formën e kërkuar nga ligji.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi riçelje të hetimit gjyqësor dhe pranimin në cilësinë e provës të akteve të reja.
Pasi mbylli hetimin gjyqësor, trupi gjykues ftoi palët të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se edhe pas provave të reja, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, ndërsa, sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale deklaroi se mënyra e trajtimit të një çështjeje gjyqësore nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe mangësitë e njohurive ligjore afektojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Përfundimisht, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 760, datë 26.04.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të subjektit të rivlerësimit Ardiana Bera.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, solli argumente shtesë, duke devijuar nga qëndrimi i mëparshëm për të dyja kriteret e vlerësimit, të pasurisë dhe atë profesional. Përfaqësuesja ligjore kërkoi kohë shtesë për të ristrukturuar qëndrimin, kërkesë që nuk u pranua nga trupi gjykues, me arsyetimin se çdonjëra nga palët mund të paraqesë qëndrim të pakushtëzuar nga qëndrimi i palës tjetër.
Duke vijuar me konkluzionet përfundimtare, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit, pasi është bërë mbi një vlerësim subjektiv, si dhe është i pabazuar në prova dhe ligj. Përfaqësuesja ligjore u shpreh se provat e reja të sjella gjatë procesit në Kolegj provojnë se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, ndërkohë që sipas saj, çështja e marrë si referencë në kuadër të vlerësimit profesional, nuk përmban rrethana konkrete, faktike apo gabime që mund të ndikonin për një vlerësim negativ në këtë kriter, aq më pak cenimin e besimit tek sistemi i drejtësisë. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 760, datë 26.04.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqytimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 20.05.2025, në orën 13:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.