Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 29.05.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 39/2022, datë 07.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme paraqiti shkaqet e ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, duke i kërkuar Kolegjit, që bazuar në juridiksionin kontrollues të tij, të kryejë një rivlerësim të veprimeve dhe mosveprimeve të subjektit të rivlerësimit në disa prej çështjeve penale të trajtuara prej saj, referuar gjetjeve në shkaqet e ankimit, pasi, sipas tij, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë kuadër nuk ka qenë i plotë. Z. Xholi i kërkoi Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, me qëllim që t’i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë dhe Prokurorisë pranë kësaj gjykate, për t’i vënë në dispozicion aktet e plota të dosjeve penale. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë ankimin dhe në përfundim, të vendosë në mënyrë alternative ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, ose lënien në fuqi të tij.
I pyetur nga kryesuesja e seancës lidhur me dy denoncime të publikut të ardhura në Kolegj, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, pasi ishte njohur edhe me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit lidhur me to, deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe të tilla që do të kërkonin hetime të mëtejshme.
Gjatë paraqitjes së prapësimeve lidhur me shkaqet e ankimit, subjekti i rivlerësimit, znj. Elona Alvora, dha në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e saj lidhur me rrethanat e çështjeve penale të përfshira në shkaqet e ankimit, duke pretenduar se çdo veprim është ndërmarrë në zbatim të ligjit procedural.
Lidhur me kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme për administrimin e akteve të disa dosjeve penale, subjekti i rivlerësimit u shpreh se vlerëson që nuk duhet të merren në shqyrtim nga Kolegji dy çështjet e transferuara pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që e konsideroi të panevojshëm administrimin e akteve të çështjeve të tjera.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të kërkojë aktet e cituara në kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Xholi, duke bërë me dije se palët do të njoftohen në vijimësi për mënyrën e komunikimit të akteve të kërkuara.
Në pritje të tyre, u vendos shtyrja e seancës për në datën 24.06.2025, ora 13:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.