Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.07.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 39/2022, datë 07.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se evidentohen mangësi në vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale, sipas indikatorëve të përcaktuar në nenin 73, pika 2 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, por këto mangësi nuk janë të tilla që të kenë cenuar veprimtarinë hetimore dhe mund të korrigjohen nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit znj. Elona Alvora dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit të ofruar nga Shkolla e Magjistraturës.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Elona Alvora paraqiti në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e saj lidhur me rrethanat e çështjeve penale të përfshira në ankim dhe përsëriti kërkesën drejtuar Kolegjit për të mos pranuar ankimin lidhur me dy çështjet e transferuara pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Znj. Elona Alvora deklaroi se lidhur me çështjet e tjera, ka pasur aftësinë të ndërmarrë veprime hetimore të logjikshme, në zbatim të ligjit procedural dhe se mangësitë e vërejtura nuk janë të tilla që të kenë shenjuar problematika në veprimtarinë hetimore. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që e ka konfirmuar atë në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16.07.2025, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.