Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.07.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 27/2023, datë 04.07.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 660, datë 16.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pranishëm në seancë.
Kryesuesja konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit dhe informoi se në Kolegj nuk ka ardhur asnjë njoftim me arsye apo shkaqe që do ta vendosnin znj. Majlinda Andrea në pamundësi objektive për të qenë e pranishme në seancë; rrjedhimisht trupi vendosi ta vijonte procesin në mungesë të saj.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit deklaroi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka hetuar nëse institucionet e juridiksionit të zakonshëm disiplinor kushtetues kanë ushtruar kompetencën e tyre të kryerjes së hetimit dhe procedimit disiplinor me qëllim shkarkimin e subjektit të rivlerësimit dhe humbjen e statusit të magjistratit.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të hetojë lidhur me sa më sipër, si dhe pasi të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 660, datë 16.05.2023 të Komisionit, që ka shkarkuar nga detyra subjektin e rivlerësimit dhe të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti ka humbur statusin e magjistratit. Z.Braho vlerësoi se edhe nëse rezulton që këto institucione janë ende në kushtet e mosveprimit, do të duhet që procesi i rivlerësimit të deklarohet i përfunduar, pa një vendim përfundimtar, po për shkak të humbjes së statusit të magjistratit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor informacion si dhe aktet e nxjerra lidhur me mbarimin e statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea. Sapo të mbërrijnë në Kolegj, aktet përkatëse do t’u përcillen palëve. Në pritje të tyre, u vendos shtyrja e seancës për në datën 21.07.2025, ora 9:30, gjatë së cilës palët do të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.