Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 29.09.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 37/2023, datë 02.08.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023, për subjektin e rivlerësimit Ylli Pjetërnikaj.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë dhe gjendet në kushtet e pamundësisë financiare për të justifikuar ligjshmërinë e të ardhurave, në shkallë të tillë që nuk mund të gjejë zbatim parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit. Në kuadër të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, z. Klodian Braho deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës për gjetjet e përfshira në ankim sa i përket veprimeve hetimore të ndërmarra prej tij. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit, duke vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Ylli Pjetërnikaj.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit duke dhënë shpjegime të detajuara për secilin prej tyre, ndërsa përfaqësuesja e tij ligjore deklaroi se nuk mund të zerohen të ardhurat e qenësishme të familjes bujqësore, për sa kohë nuk ekziston asnjë rast, qoftë edhe i dyshuar, i ndonjë aktiviteti korruptiv të subjektit të rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, duke pranuar në cilësinë e provës aktet bashkëlidhur parashtrimeve, si dhe të një akti rë ri të depozituar gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk përmbajnë ndonjë rrethanë me interes për procesin.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se ndan qëndrim të njëjtë me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në këtë kuadër.
Trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës të gjitha aktet e depozituara sipas procesverbalit të seancës së sotme, përveç një akti, për të cilin, i dha mundësinë subjektit të rivlerësimit ta paraqesë në formën e kërkuar nga ligji para seancës gjyqësore pasuese.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të mos hetojë më tej lidhur me denoncimet, pasi nuk përmbushin kriteret e nenit 53, të ligjit 84/2016.
Trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 15.10.2025, ora 9:00, seancë, gjatë së cilës palët do të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.