Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 06.10.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024, për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
Kryesuesi i trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit, i autorizuar me prokurë prej tij, paraqiti një kërkesë për shtyrje të seancës me qëllim për të pritur përfundimin e gjykimit të një çështjeje penale në ngarkim të subjektit të rivlerësimit pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 10.10.2025, pasi sipas tij, ky vendim do të ndikonte në qëndrimin që ata do të mbanin në çështjen në Kolegj. Pasi dëgjoi qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i cili u shpreh për vijimin e gjykimit, trupi vendosi rrëzimin e kërkesës, duke ftuar palët të vijojnë me parashtrimet.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se, bazuar në rrethanën e re, atë të procedimit penal të subjektit të rivlerësimit, i kërkoi Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, me qëllim që t’i drejtohet institucioneve përkatëse për përditësim të informacionit për të vlerësuar nëse subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë bazuar në të tria kriteret e vlerësimit, të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi në mënyrë alternative ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024 ose lënien në fuqi të tij.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit dha shpjegimet e tij lidhur me ankimin dhe la në vlerësim të Kolegjit kërkesën për t’iu drejtuar institucioneve për informacion të përditësuar, duke veçuar rastet kur ky informacion nuk do të ndikonte në çështjen objekt gjykimi. Përfaqësuesi ligjor kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi parashtrimet e palëve dhe kërkesën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit F, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, nenin 45 dhe 49/1 të ligjit 84/2016, vendosi:
– të riçelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke kërkuar raportin e përditësuar nga Agjencia Kombëtare e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), mbi kontrollin e figurës për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
– të kërkohen materialet hetimore për dy procedime penale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë si dhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,
Seanca e ardhshme gjyqësore publike do të zhvillohet në datën 13.11.2025, ora 10.00, në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.