Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.11.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 47/2023, datë 19.10.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 689, datë 24.07.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ervin Pollozhani.
Gjatë paraqitjes së qëndrimit të tij lidhur me dokumentin e titulluar “Gjetje dhe mendim”, të paraqitur gjatë seancës së mëparshme nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), z. Theo Jacobs, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se gjetja, e cila lidhet me një nga pasuritë e subjektit të rivlerësimit, është e mbështetur në shkaqet e ankimit dhe shprehu dakordësinë për të vijuar me ndërmarrjen e hetimeve të mëtejshme, të kërkuara nga z. Jacobs.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupi gjykues të refuzojë administrimin e dokumentit “Gjetje dhe mendim” si mjet prove, me arsyetimin se bëhet fjalë jo vetëm për një gjetje të paraqitur tej afateve procedurale, por edhe të pabazuar në ndonjë provë apo rrethanë të re që mund të kishte qenë e pamundur të aksesohej më herët. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se bëhet fjalë për një zgjerim artificial të shkaqeve të ankimit përtej afateve ligjore, çka do të cenonte procesin e rregullt ligjor, parimin e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe të barazisë së armëve mes palëve.
Pasi dëgjoi qëndrimet e palëve, trupi gjykues vendosi në zbatim të nenit 304 të Kodit të Procedurës Civile dhe të nenit 49 të ligjit 84/2016, të riçelë hetimin gjyqësor vetëm në funksion të administrimit të gjetjes së paraqitur nga vëzhguesi ndërkombëtar dhe të mos vijojë me hetime të mëtejshme të sugjeruara nga opinioni i vëzhguesit ndërkombëtar
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkësa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u dhënë palëve kohë të arsyeshme për përgatitjen e tyre, seanca gjyqësore u shty për në datën 25.11.2025, ora 11:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
