Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 16.01.2026, ora 09:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 21/2024, datë 06.06.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 743, datë 19.03.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gentian Hamiti.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se shpjegimet e subjektit të rivlerësimit mbeten të paprovuara, në nivel deklarativ, të pasakta, jo bindëse e të besueshme. Z. Klodjan Braho i kërkoi Kolegjit që, në vlerësimin tërësor të çëshjtes, të marrë në konsideratë edhe gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit lidhur me kriterin e figurës dhe atë profesional, duke i vlerësuar sipas nenit 4, pika 2 të ligjit 84/2016, në kuadër të nenit 61, pika 5 të po këtij ligji. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 743, datë 19.03.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gentian Hamiti.
Subjekti i rivlerësimit dha shpjegimet e tij në prapësim të shkaqeve të ankimit, duke deklaruar se nëpërmjet akteve në dosje dhe përgjigjeve shteruese vërtetohet se gjetjet për të tria kriteret e vlerësimit janë të pabazuara e nuk qëndrojnë. Në mbështetje të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës. Z.Gentian Hamiti i kërkoi Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor me qëllim hetimin e rrethanave bazuar në këto akte të reja, të pashqyrtuara më parë nga organet e rivlerësimit; rrëzimin e ankimit si jo objektiv e në mospërputhje me standardet e procesit të rivlerësimit; si dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 743, datë 19.03.2024.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes duke pranuar të marrë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit me parashtrimet dhe të cituara në seancën e sotme gjyqësore. Gjithashtu, vendosi të marrë kryesisht, në cilësinë e provës aktet e gjendura në dosjen gjyqësore që i përket vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nr. 59, datë 22.07.2025, lidhur me personin e lidhur Armida Hamiti, që lidhen me kriterin e vlerësimit të pasurisë së subjektit Hamiti.
I pyetur nga kryesuesja, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk vlerësonte të paraqiste ndonjë kërkesë për t’u njohur me aktet e dosjes së personit të lidhur.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u lënë kohë të arsyeshme palëve për përgatitjen e tyre, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 22.01.2026, ora 13:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
