Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.12.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.40/2018, datë 18.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 63, datë 06.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Arben Dollapaj.
Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit çeljen e një hetimi të plotë e të gjithashëm në funksion të shkaqeve të ankimit që parashtroi gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet e tij lidhur me shkaqet e ankimit dhe i kërkoi trupit gjykues marrjen në cilësinë e provës të dokumenteve të reja që i depozitoi pranë trupit gjykues, në përgjigje të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 63, datë 06.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përgjigje të kërkesës së Komisionerit Publik për një kohë të arsyeshme për t’u shprehur mbi formën dhe vlerën provuese të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 16.12.2019, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.