Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19.02.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 10/2019, datë 29.02.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Alma Kolgjoka.
Gjatë parashtrimit të shkaqeve të ankimit të lidhura vetëm me kriterin e pasurisë, nëpëmjet një kërkese paraprake, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Apelimit të shprehej me vendimmarrje lidhur me cilësimin ose jo si person tjetër i lidhur, të një familjari të subjektit të rivlerësimit, dhe pasi të kishte nje vendimarrje të trupit gjykues lidhur me këtë cilësim, ai do të shprehej lidhur me kërkimet e tij për hetimet që kërkoheshin lidhur me çështjen. Komisioneri Publik kërkoi lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit hodhi poshtë shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i cilësuar si të pabazuara në prova e ligj dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Gjykata çmoi se në këtë fazë të gjykimit nuk mund të shprehej rreth çështjes së raportit juridik midis subjektit të rivlerësimit dhe familjarit të saj, si dhe cilësimit të tij si person tjetër i lidhur, pasi kjo çështje do të arsyetohet në vendimin përfundimtar.
Në vijim, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues i Kolegjit që të kryente një analizë financiare për verifikimin e ligjshmërisë së burimit të krijimit të pasurisë, apartament banimi në Tiranë.
Në funksion të kërkimit të Komisionerit Publik për kryerjen e analizës financiare, me qëllim verifikimin e marrëdhënies që kanë patur familjarjarët e subjektit të rivlerësimit me pasurinë apartament banimi në Tiranë, trupi gjykues i Kolegjit vendosi të çelë hetimin, duke iu drejtuar për informacion shtesë dhe paraqitje aktesh mbi kontrata te lidhura dhe pagesa të kryera, ndërmarrjes së Ujësjellësit, OSHE-së, kontrata të mëparshme të lidhura nga familjari i saj apo persona të tjerë, shoqërive tregtare investitore dhe sipërmarrëse për ndërtimin e këtij apartamenti, si dhe për veprime juridike të kryera, Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Sa më sipër, trupi gjykues i kërkoi subjektit të rivlerësimit që nëse e konsideron të nevojshme, të paraqesë argumenta, prova dhe shpjegime të mundshme.
Në pritje të kthimit të përgjigjeve të mësipërme, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 25 mars 2020, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.