2025-10-14 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24.09.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2024, datë 29.03.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024, për subjektin e rivlerësimit Gentian Habazaj.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se analiza financiare e kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk mbështetet në aktet në dosje dhe se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë bindshëm burimet e ligjshme të pasurisë në përdorim dhe mbulimin e investimeve të kryera. Sa i përket kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, z. Xholi deklaroi se arsyetimi i subjektit të rivlerësimit për veprimet hetimore të ndërmarra është i një cilësie të dobët, në të mungon argumentimi logjik dhe ligjor, si dhe nuk është i mbështetur në aktet e fashikullit hetimor. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gentian Habazaj.
Gjatë paraqitjes së prapësimeve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se shkaqet e ankimit nuk qëndrojnë, ato bien ndesh me provat në dosje dhe se konkluzionet e nxjerra u janë referuar në mënyrë të pjesshme fakteve dhe dokumentacionit në dispozicion. Subjekti i rivlerësimit dha shpjegime të detajuara për secilin shkak ankimi që lidhet me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë profesional dhe deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i drejtë, i bazuar në hetim të thelluar dhe duhet të lihet në fuqi. Bashkëlidhur parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja, të cilat u pranuan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Në vijim, relatorja e çështjes i drejtoi disa pyetjeve palëve në funksion të shqyrtimit të çështjes. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se do t’u japë përgjigje në konkluzionet përfundimtare, ndërsa subjekti i rivlerësimit dha shpjegime rreth tyre.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimti gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u lënë kohë palëve për përgatitjen e tyre, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 14.10.2025, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.