Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 21.07.2021, ora 11:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.
Në vijim të seancës së mëparshme, kryesuesja bëri me dije se trupi gjykues ka kryer verifikimet në institucionin informues lidhur me dokumentacionin që përmban të dhënat e përcjella për subjektin e rivlerësimit, mbi të cilat është hartuar raporti i datës 30 qershor 2021 mbi kontrollin e figurës nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, si dhe ka administruar shkresën që struktura perkatese ka përcjellë pranë Kolegjit në lidhje me statusin procedural dhe trajtimin e informacionit të klasifikuar që lidhet me subjektin e rivlerësimit.
Kryesuesja bëri me dije gjithashtu se në Kolegj ka mbërritur një denoncim i ri në adresë të subjektit të rivlerësimit, i cili u është përcjellë palëve.
Pas kërkesës së tij, Komisioneri Publik u njoh me procesverbalin e mbajtur nga trupi gjykues gjatë verifikimit të të dhënave mbi të cilat është hartuar raporti mbi kontrollin e figurës së subjektit të rivlerësimit, i datës 30 qershor 2021. Komisioneri Publik deklaroi se me aq të dhëna sa përmban procesverbali, e ka të pamundur të identifikojë rrethanat konkrete procedurale që do ta legjitimonin një kërkesë të tij për hetim të mëtejshëm rreth çështjes. Duke arsyetuar se vetëm trupi gjykues është njohur me dokumentacionin, Komisioneri Publik e la në çmim të gjykatës nëse bazuar në faktet, rrethanat juridike ose provat e administruara, nevojitet hetim i mëtejshëm për efekt të kontrollit të figurës.
Edhe subjekti i rivlerësimit, i njohur me procesverbalin, deklaroi se e lë në çmim të gjykatës vendimmarrjen për hetim të mëtejshëm në këtë kuadër, pasi sipas tij, nuk arrin të indetifikojë asnjë të dhënë që lidhet me pastërtinë e figurës.
Lidhur me denoncimin e ri, palët ndanë të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se subjekti i rivlerësimit nuk rezulton të ketë pasur pozitë procedural në çështjen së cilës i referohet denoncuesi.
Kryesuesja e trupit gjykues pyeti Komisionerin Publik nëse çmon që duhet të njihet me dokumentacionin, mbi të cilin është hartuar raporti mbi kontrollin e figures të subjektit të rivlerësimit.
Pas përgjigjes së Komisionerit Publik se e lë në vlerësim të gjykatës, trupi gjykues vendosi t’i japë kohë të arsyeshme Komisionerit Publik të njihet me aktet përkatëse. Për këtë arsye, seanca gjyqësore u shty për në datën 30.07.2021, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.