Njoftim

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.11.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2021, datë 03.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sokol Ngresi.

Para paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik bëri me dije se dëshmitari F.K. kishte paraqitur ditën e djeshme në institucionin e Komisionerëve Publikë disa akte lidhur me një kallëzim të tij drejtuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj dy ekspertëve kriminalistë të Institutit të Drejtorisë së Policisë Shkencore dhe subjektit të rivlerësimit.

I pyetur nga kryesuesja e seancës nëse kishte ndonjë kërkesë procedurale lidhur me aktet, Komisioneri Publik sqaroi se ishte shprehur vetëm në kuadër të transparencës me publikun dhe se e linte në çmim të gjykatës vendimmarrjen lidhur me to.

 

Pasi kryesuesja konfirmoi se Kolegji ishte në dijeni dhe kishte administruar aktet e paraqitura, trupi gjykues vendosi të vijohej me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, duke vlerësuar se praktika e administruar nuk ndikon në procesin që po zhvillohet në Kolegj dhe do të jetë objekt verifikimi/hetimi dhe vlerësimi nga organet kompetente.

 

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk kishte arritur të provonte të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe se ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurisë së tij. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Sokol Ngresi.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik dhe deklaroi se nëpërmjet provave dhe argumentave ka arritur të provojë të gjitha pretendimet e tij. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik, duke pretenduar se është depozituar jashtë afateve ligjore dhe në alternativë lënien në fuqi të vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

 

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 24.11.2021, ora 15:00.

 

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.