Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 13.12.2021, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 2/2021, datë 26.03.2021, me ankues Markelian Kuqo, kundër vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Pasi u bë verifikimi i prezencës së palëve, ankuesi Markelian Kuqo paraqiti para trupit gjykues një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës kërkoi të administrohen prej Këshillit të Lartë Gjyqësor të gjitha aktet e shqyrtuara prej tij në kuadër të procedimit disiplinor të zhvilluar në ngarkim të ankuesit, si edhe t’i jepet mundësia e njohjes me to, në funksion të realizimit të mbrojtjes para Kolegjit. Përfaqësuesi i Këshillit të Lartë Gjyqesor parashtroi se Këshilli ka paraqitur në Kolegj aktet e procedimit që janë konsideruar prej tij të nevojshme për gjykimin e çëshjtes, ndërsa, së bashku me përfaqësueset e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashtruan se është detyrim i ankuesit të paraqesë para Kolegijt provat që i konsideron të nevojshme për të mbështetur pretendimet e tij.
Pasi u tërhoq për konsultim, Kolegji, bazuar në nenet 1, paragrafi 2 dhe 42 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendosi të pranojë kërkesën e ankuesit Markelian Kuqo dhe t’i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për të sjellë brenda datës 28.12.2021, fashikullin me të gjitha aktet e administruara dhe të krijuara në funksion të procedimit disiplinor, në bazë të të cilit është marrë vendimi nr.633, datë 10.12.2020. Për këtë arsye, seanca e sotme u shty për në datën 17.01.2022, ora 10:00.
Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.