Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 13.04.2021, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 58/2021, datë 11.10.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 410, datë 30.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Atalanta Zeqiraj.

Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit, duke i kërkuar Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe pas vlerësimit tërësor të çështjes, të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 410, datë 30.06.2021, ose lënien në fuqi të tij.

Subjekti i rivlerësimi, znj. Atalanta Zeqiraj, paraqiti prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të depozituara prej saj në Kolegj, në përgjigje të ankimit të Komisionerit Publik. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 410, datë 30.06.2021.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës, që do të zhvillohet më 13 maj 2022, ora 9:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.