4 Maj 2022
Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit znj. Albana Shtylla dhe gjyqtarët e Kolegjit pritën sot një delegacion moldav të kryesuar nga Ministri i Drejtësisë z. Sergiu Litvinenco me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira dhe njohjen me mënyrën e funksionimit të procesit të vetting-ut, kuadrin ligjor, mekanizmat dhe institucionet e përfshira, rezultatet e implementimit, si dhe perceptimin e publikut për këtë proces.
Moldavia ka nisur një reformë ambicioze në sistemin e drejtësisë me qëllim luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Një nga reformat me impakt të veçantë që i është premtuar publikut moldav, është kryerja e procesit të vetting-ut, vlerësimi i integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nxjerrja jashtë sistemit e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kalojnë me sukses procesin.
Në përbërje të delegacionit moldav të kryesuar nga Ministri i Drejtësisë ishin edhe anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe drejtues dhe këshilltarë ligjorë të departamenteve të këtyre institucioneve, të cilët u informuan rreth ecurisë së deritanishme të procesit të vetting-ut, si pjesë thelbësore e reformës në drejtësi në Shqipëri.