2025-07-03 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 18.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 8/2023, datë 24.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Robert Kote.
Kryesuesja informoi se, në vijim të seancës së mëparshme, subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur në Kolegj vendimin e shkurtuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, i cili i ishte përcjellë edhe përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme për qëllime vlerësimi në konkluzionet përfundimtare.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Klodian Braho, në referencë të provave të reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë procesit të zhvilluar në Kolegj, deklaroi se pamjaftueshmëria financiare e tij është e tillë që nuk e cenon besueshmërinë lidhur me kriterit të vlerësimit të pasurisë. Sipas z. Braho, sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale dhe gjetjeve të lidhura me procedime penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, u provua se nuk konstatohen mangësi që do të mund të cenonin besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Përfundimisht, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se, gjatë këij procesi, arriti të provojë të kundërtën e ankimit nëpërmjet provave të reja të depozituara e kërkoi përfundimisht, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022 dhe konfirmimin në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 03.07.2025, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.