Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 11.05.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2021, datë 26.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit të subjektit të rivlerësimit Irena Brahimi kundër vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit në lidhje me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, duke kërkuar lënien në fuqi, ose në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 276, datë 21.07.2020.
Subjekti i rivlerësimit znj. Irena Brahimi dha shpjegime lidhur me ankimin e saj kundër vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe paraqiti kundërshtimet lidhur me ankimin e Komisionerit Publik. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 276, datë 21.07.2020 dhe konfirmimin në detyrë.
Pas debatit gjyqësor, në kuadër të kërkesave respektive të Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit drejtuar Kolegjit në funksion të shqyrtimit të çështjes, pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
-çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës të gjitha aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit bashkëngjitur parashtrimeve në seancën e sotme gjyqësore.
-me shumicë votash, kryerjen e një analize financiare paraprake të lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik dhe pretendimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë. Kjo analizë financiare do t’u përcillet palëve, për njohje, brenda datës 25 maj 2023.
-vendosjen në dispozicion, subjektit të rivlerësimit të një informacioni mbi një publikim të një portali mediatik, pjesë e ankimit të Komisionerit Publik në kuadër të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale. Ky informacion do t’i përcillet subjektit të rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, për të mbajtur një qëndrim gjatë seancës së ardhshme gjyqësore, e cila do të zhvillohet më datë 05.06.2023, ora 10:00. Po në këtë seancë, edhe trupi gjykues do të shprehet lidhur me informacionin mbi publikimin e portalit mediatik.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.