Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 10.01.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 33/2023, datë 20.07.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 671, datë 14.06.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ylli Bashaj.

Kryesuesja e seancës u bëri me dije subjekteve procedurale në gjykim se më datë 8 janar 2024, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është depozituar një gjetje dhe opinion i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, një kopje e së cilës iu vendos në dispozicion atyre gjatë seancës së sotme, në gjuhën shqipe dhe angleze.

E pyetur nga kryesuesja, Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, deklaroi se do të shprehet lidhur me dokumentin, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare.

Nga ana tjetër, subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues kohë të mjaftueshme për t’u njohur me dokumentin dhe për të shprehur qëndrimin e tij lidhur me të. Në përgjigje të kërkesës së subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 15 janar 2024, ora 9:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.