Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 17.07.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 39/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 661, datë 18.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Hoxha.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën lidhur me rezultatet e hetimit mbi kontrollin e pasurisë, aftësitë profesionale dhe kriterin e figurës si dhe për raste të konstatuara të konfliktit të interesit. Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.5.2023, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Hoxha.
Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësueses së tij ligjore, kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i cilësuar ato të pabazuara në prova dhe në rezultatet e hetimit administrativ. Duke pretenduar të kundërtën e ankimit, subjekti i rivlerësimit depozitoi dy akte të reja, njërin prej të cilëve, trupi gjykues e konsideroi si akt shpjegues në funksion të parashtrimeve, ndërsa për tjetrin, vlerësoi se mund të konsultohej online në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Në kushtet kur Komisioneri Publik kërkoi afat të arsyeshëm për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në datën 22.07.2024, ora 10:00.
Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.