Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 05.02.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2024, datë 29.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 730, datë 10.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Valentin Preçi.
Kryesuesja e trupit gjykues informoi se gjatë ditës së djeshme, palëve u ishte përcjellë për dijeni një gjetje e paraqitur në Kolegj nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si dhe një denoncim i ri nga publiku, për të cilat, u kërkoi të mbanin një qëndrim. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe përfaqësuesja ligjore që përfaqësonte subjektin e rivlerësimit në seancën e sotme, konfirmuan marrjen e akteve.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit u shpreh se subjekti i rivlerësimit dhe ajo vetë, ishte vënë në dijeni për aktet e sipërcituara, por kërkoi kohë për t’u njohur me përmbajtjen e tyre dhe për të mbajtur një qëndrim.
Palët vijuan me relatimin e qëndrimeve mbi një denoncim tjetër, në vijim të detyrës së ngarkuar nga trupi gjykues gjatë seancës së mëparshme.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se ishte njohur me të dyja denoncimet, për të cilat, vlerësoi se nuk përmbanin shkaqe për hetime të mëtejshme.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit parashtroi qëndrimin e saj vetëm për denoncimin e parë, duke theksuar se subjekti i rivlerësimit kishte dhënë shpjegime më herët, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, dhe se ky denoncim nuk përmbante elementë për nevojën e një hetimi të mëtejshëm.
Për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit dhe përfaqësueses ligjore të njiheshin e të mbanin një qëndrim lidhur me gjetjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe denoncimin e ri, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 13.02.2025, ora 13:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.