Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.03.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 27/2024, datë 18.07.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 754, datë 05.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mirela Mishgjoni.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në këtë proces gjyqësor.
Z. Xholi paraqiti shkaqet e ankimit për kriterin e pasurisë, në mbështetje edhe të rekomandimit të ONM-së për paraqitjen e ankimit, duke konsideruar se vendimi i Komisionit nuk është në pajtueshmëri të plotë me gjendjen e fakteve dhe provave të administruara në dosje, dhe se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, duke bërë një deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, sipas pikës 3 dhe 5 të Nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe pikës 3 dhe 5 të nenit 61, të ligjit 84/2016. Në përfundim të parashtrimeve të tij, prokurori i Prokurorisë së Posaçme, z. Xholi, kërkoi nga Kolegji shqyrtimin e shkaqeve të ankimit dhe ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifimit nr. 754, datë 05.04.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Mirela Mishgjoni.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti në mënyrë të detajuar prapësimet e saj lidhur me shkaqet e ankimit, në lidhje me të gjitha pasuritë e parashtruara në ankimin e Komisionerit Publik, në pronësi të subjektit të rivlerësimit dhe personave të saj të lidhur, të përfituara përpara marrjes së detyrës dhe përgjatë saj. Në mbështetje të pretendimeve të saj, subjekti i rivlerësimit paraqiti edhe disa akte, të cilat kërkoi të merren si provë nga trupi gjykues.
Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet shkresore sipas procesverbalit të seancës së ditës së sotme, përveç disa akteve të cilat mund të aksesohen nga burime të hapura nga vetë trupi gjykues.
Duke qenë se palët nuk kishin kërkesa të tjera, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare të çështjes, në seancën e datës 19 mars 2025, ora 08:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.