Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 07.04.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 24/2024, datë 01.07.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 744, datë 19.03.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Hajredinaj.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i cili, ka deleguar për ta përfaqësuar në këtë proces, prokurorin e Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ndan qëndrim të ndryshëm nga ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që ka konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit Artan Hajredinaj. Në referencë të 7 denoncimeve të publikut, z. Braho i kërkoi Kolegjit që rrethanat e përshkruara aty dhe mangësitë e evidentuara në trajtimin e çështjeve, të mbahen në konsideratë në vlerësimin profesional të subjektit të rivlerësimit. Duke i qëndruar shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 744, datë 19.03.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Gjatë paraqitjes së prapësimeve, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit konstatoi se ka një qëndrim kontradiktor lidhur me ankimin: drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ngre shkaqe për të tria kriteret, por referon vetëm për dy, për pasurinë dhe vlerësimin profesional. Lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, përfaqësuesja ligjore konstatoi se referencë duhet të jetë deklarata Veting dhe jo ajo periodike vjetore, ndërsa shtoi se në ankim mungon edhe balanca negative për secilën pasuri. Përfaqësuesja ligjore dha shpjegime të detajuara për secilin prej shkaqeve të ankimit dhe në mbështetje të pretendimeve të saj, paraqiti një sërë aktesh, që kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se më datë 25 mars 2025 në Kolegj ka mbërritur një denoncim i ri, i cili u është përcjellë palëve. Lidhur me të, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se lidhet me një çështje ende nën shqyrtim nga subjekti i rivlerësimit dhe rrjedhimisht nuk ka ndikim në procesin e tij të rivlerësimit. Në këtë kuadër, subjekti i rivlerësimit paraqiti me shkrim qëndrimin e tij dhe disa akte shoqëruese, duke kërkuar të pranohen në cilësinë e provës.
Lidhur me aktet, z. Klodian Braho deklaroi se nga ana formale nuk sheh pengesa ligjore për administrimin e tyre, ndërsa lidhur me përmbajtjen, do të shprehet gjatë konkluzioneve përfundimtare të çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e proves të gjitha aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, përveç një akti që është pjesë e fashikullit të dosjes së përcjellë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Këto akte do t’i përcillen edhe përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Trupi gjykues, duke mbajtur parasysh edhe qëndrimin e z. Braho, vendosi të mos hetojë për denoncimin e datës 25 mars 2025, pasi nuk përmbush kriteret ligjore për hetim të mëtejshëm. Gjithashtu, po për këtë arsye, u vendos të mos hetohet më tej për një denoncim të dërguar nga një denoncues me inicialet B.S.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Duke qenë se përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi kohë të arsyeshme për përgatitjen e tyre, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 28.04.2025, ora 14:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.