2025-10-24 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 16.10.2025, ora 08:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 38/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.06.2023, për subjektin e rivlerësimit Mirela Zavalani.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se, gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit, znj. Mirela Zavalani, nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë. Sipas z, Xholi, deklarimet e znj. Zavalani janë të paqarta e të pasakta në raport me aktet në dosje, duke bërë deklarimin e saj të pabesueshëm dhe kontradiktor. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit që disa transaksione bankare të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit t’i vlerësojë në kuadër të cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.06.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit, znj. Zavalani, paraqiti në mënyrë të detajuar shpjegimet e saj lidhur me ankimin, duke deklaruar se u provua ligjshmëria e burimit të krijimit të pasurisë së saj, se diferencat minimale të konstatuara nuk kanë peshë të atillë, që do të mund të cenonte besueshmërinë e saj financiare dhe nuk lënë shkak për masën disiplinore të shkarkimit.
Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.06.2023.
Në vijim, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit vlerësoi shkakun ankimor të lidhur me cenimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, të pambështetur në bazën ligjore përkatëse dhe si një shkak ankimi të rënë në dekadencë, pasi duhet të ishte paraqitur gjatë fazës së debatit gjyqësor.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 24.10.2025, ora 9:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.