Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli më datë 30.06.2025, ora 12:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 11/2023, datë 10.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 607, datë 22.12.2022, për subjektin e rivlerësimit Kledian Llaho.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile kanë përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z.Klodjan Braho dhe informoi se më datë 27.06.2025, në rrugë shkresore, z. Altin Dumani kishte kërkuar shtyrjen e seancës publike në një datë tjetër, për shkak të pamundësisë objektive të z. Braho për të marrë pjesë në seancën e sotme, për arsye të një vizite zyrtare jashtë vendit.
Kryesuesja e seances konstatoi gjithashtu mungesën e subjektit të rivlerësimit z.Kledian Llaho. Në seancë u paraqit avokati Elis Bilali, i cili deklaroi se z. Kledian Llaho, duke qenë se për arsye familjare e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancën e sotme, e kishte caktuar si përfaqësues të tij ligjor. Në këtë kuadër, z. Bilali depozitoi një akt të titulluar “Njoftim”, të datës 28.6.2025 me të cilin subjekti i rivlerësimit njoftonte trupin gjykues për pamundësinë e pjesemarrjes në seancë dhe caktimin si perfaqesues ligjor të tij të avokatit Elis Bilali.
Pasi, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 04.07.2025, ora 11:30, z. Elis Bilali kërkoi shtyrje në një datë të mëvonshme të seancës gjyqësore, me qëllim njohjen me ankimin dhe çështjen.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vlerësoi se:
· Subjekti i rivlerësimit, nuk kishte paraqitur ndonjë akt shkresor që të vërtetonte arsyen e pamundësisë së tij për të marrë pjesë në seancën gjyqësore;
· Avokati Elis Bilali nuk dispononte një prokurë të posaçme të pretenduar të lëshuar nga subjekti i rivlerësimit dhe si rrjedhojë, nuk mund të legjitimohej të paraqiste kërkesa procedurale në këtë seancë gjyqësore publike.
Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të vazhdojë gjykimin e çështjes në datë 04.07.2025, ora 11.30, duke i kërkuar subjektit të rivlerësimit të marrë masat e nevojshme nëse dëshiron të jetë i pranishëm personalisht ose nëse do të përfaqësohet nëpërmjet një përfaqësuesi ligjor në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.