Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 7/2023, datë 14.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 605, datë 21.12.2022, për subjektin e rivlerësimit Armida Hamiti (Moçka).
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Armida Hamiti (Moçka), nuk arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës dhe se ndryshe nga sa arsyetohet në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifkimit, pamjaftueshmëria financiare e saj dhe personave të lidhur me të është e tillë, saqë nuk mund të gjejnë zbatim parimet e proporcionalitetit dhe objektivitetit. Z. Dumani kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 605, datë 21.12.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektin e rivlerësimit.
Në prapësim të shkaqeve të ankimit, subjekti i rivlerësimit deklaroi se ankimi është i pambështetur në ligj, ka kontradikta logjike e faktike dhe se është i bazuar në interpretime formaliste e të pjesshme të provave. Subjekti i rivlerësimit kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe pranimin në cilësinë e provës të disa akteve të reja, të cilat i depozitoi në mbështetje të pretendimeve të saj. Znj. Hamiti kërkoi gjithashtu, rrëzimin e ankimit të Komisionerit Publik si të pabazuar në ligj e në prova dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 605, datë 21.12.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e ka konfirmuar atë në detyrë.
Pas disa saktësimeve që relatori i çështjes i kërkoi subjektit të rivlerësimit lidhur me anën formale të akteve të depozituara, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se përveç tri akteve që nuk përmbushnin kriteret ligjore nga ana formale, të tjerat duhet të pranoheshin në cilësinë e provës, pasi do të shërbenin për shqyrtimin objektiv të çështjes.
Pasi Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i drejtoi disa pyetje subjektit të rivlerësimit në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, përveç akteve që rezultuan se nuk janë në formën e kërkuar nga ligji.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato për të paraqitur konkluzionet përfundimtare. Për t’i dhënë kohë palëve për t’i përgatitur konkluzionet përfundimtare, u vendos shtyrja e seancës për në datën 11.07.2025, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.