Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.07.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 11/2023, datë 10.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 607, datë 22.12.2022, për subjektin e rivlerësimit Kledian Llaho.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti dy kërkesa paraprake së bashku me disa akte bashkëlidhur, me objekt:
- pezullimin e shqyrtimit në Kolegj të cështjes së juridiksionit të rivlerësimit (JR) 11/2023, datë 10.03.2023 deri në marrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me dy çështje të Juridiksionit Disiplinor që janë të regjistruara po në Kolegj, me kërkues magjistratin Kledian Llaho, me objekt kundërshtimin e dy vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për dhënien e masave disiplinore ndaj tij;
- pezullimin e shqyrtimit në Kolegj të cështjes së juridiksionit të rivlerësimit (JR) 11/2023, datë 10.03.2023, deri në zgjidhjen me vendim gjyqësor të formës së prerë të një çështjeje penale të filluar ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme.
Pasi dëgjoi edhe qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i cili u shpreh se ankimi nuk përmban shkaqe dhe fakte juridike që lidhen me çështjet e referuara nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesave të z. Kledian Llaho si të pabazuara në fakte e në ligj.
Pas çeljes së shqyrtimit gjyqësor, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme vijoi me paraqitjen e shkaqeve të ankimit., duke vlerësuar se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit kontradiktor, të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Sa i përket kriterit të figurës, z. Braho deklaroi se, nga informacioni i organeve ligjzbatuese përfitohen indicie se integriteti i subjektit të rivlerësimit duhet të konsiderohej me mangësi, ndërkohë që z. Llaho nuk ka dhënë shpejgime bindëse dhe nuk ka arritur të përmbysë barrën e provës lidhur edhe me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, duke u gjendur në kushtet e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi përfundimisht ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 607, datë 22.12.2022 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Pasi dëgjoi parashtrimin e shkaqeve të ankimit nga ana e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të tejzgjatjes së seancës gjyqësore, trupi gjykues vendosi ta ndërpresë atë, për ta vijuar në datën 23.07.2025, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.