Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.07.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2023, datë 03.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Genci Mane.
Pas vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme gjyqësore, kryesuesja bëri me dije se në Kolegj kanë mbërritur përgjigjet e Furnizuesit të Shërbimit Universal Tiranë, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtoria Rajonale Fier si dhe Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Sh.A, dhe u janë përcjellë palëve, të cilat konfirmuan njohjen me to.
Referuar përgjigjeve, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se institucionet nuk kanë sjellë dokumentet siç u janë kërkuar në shkresën e Kolegjit, ndaj kërkoi që ky i fundit t’u drejtohet dhe njëherë, duke u kërkuar kopje të kontratave të nënshkruara nga abonenti Genci Mane nëse ekzistojnë kontrata të tilla, si dhe aktet bashkëlidhur tyre.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se përgjigjet e institucioneve janë shteruese, pasi nuk ka kontrata të tilla të lidhura mes tij dhe enteve të mësipërme.
Lidhur me një denoncim të ri të ardhur në Kolegj, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, deklaroi se pasi ishte njohur me të, nuk kishte rezultuar se përmbante rrethana për hetime të mëtejshme. Lidhur me këtë denoncim, subjekti i rivlerësimit depozitoi një shkresë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, të cilën kërkoi të pranohet si provë nga trupi gjykues.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke iu drejtuar edhe njëherë institucioneve, si dhe kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të pranuar si provë shkresën lidhur me denoncimin. Trupi gjykues vendosi të mos kryejë hetime të mëtejshme lidhur me denoncimin, bazuar në nenin E të Aneksit të Kushtetutes, si dhe referuar nenit 53 të ligjit 84/2026 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 24.07.2025, ora 11:00, seancë në të cilën palët duhet të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.