Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 12.01.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 45/2023, datë 12.10.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 682, datë 10.07.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Enklid Gjini.
Në vijim të seancës së mëparshme, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se është njohur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar pranë organit ligjzbatues, në funksion të përgatitjes së një kërkimi përfundimtar të qartë e objektiv për çështjen nën shqyrtim.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se pas njohjes me informacionin e klasifikuar pranë organit ligjzbatues, vlerëson se, me shpjegimet shtesë bindëse e të pranueshme në parashtrime si dhe pas vlerësimit të provave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit arriti të shërojë shkaqet e ankimit. Përfundimisht, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho Kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 682, datë 10.07.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Enklid Gjini.
Të njëjtin qëndrim përfundimtar me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme ndau edhe subjekti i rivlerësimit.
Pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.01.2026, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
