Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 10.02.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 15/2024, datë 17.04.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit dhe të subjektit të rivlerësimt kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 739, datë 26.02.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mimoza Margjeka.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit dhe bëri me dije se znj. Mimoza Margjeka nuk ka lajmëruar ndonjë shkak të arsyeshëm për mosprezencën e saj. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të vijojë gjykimin e çështjes në mungesë, me arsyetimin se nuk ka shkak ligjor për mungesën e subjektit të rivlerësimit, pasi dëgjoi edhe përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, që ndau të njëjtin qëndrim.
Kryesuesja relatoi se ditën e djeshme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli vendimin e Juridiksionit Disisplinor nr. 1/2026 (JD) datë 27.01.2026 për mospranimin e ankimit të magjistrates Mimoza Margjeka kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 180, datë 09.04.2024, “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtares Mimoza Margjeka”. Ky vendim i çështjes (JD) nr. 1/2024, datë 03.05.2024, me subjekte të interesuar Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, i është bërë me dije po ditën e djeshme, më datë 09.02.2026 zonjës Mimoza Margjeka.
Kryesuesja relatoi gjithashtu, se subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur ditën e sotme para fillimit të seancës gjyqësore, një kërkesë për përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues të çështjes (JR) 15/2024, datë 17.04.2024, kërkesë e cila, po vlerësohet në Kolegj nga ana formale nëse përmbush kushtet ligjore për t’u shqyrtuar. Kryesuesja bëri me dije se referuar nenit 75 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues nuk pezullon gjykimin por vijon shqyrtimin e cështjes, deri në trajtimin e kërkesës, proces ky që duhet të kryhet para vendimit përfundimtar.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë parasysh dënimin penal me vendim të formës së prerë të subjektit të rivlerësimit, i kërkoi Kolegjit të vlerësojë nësë institucionet e juridiksionit të zakonshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë përmbushur detyrimin kushtetues për dhënien e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra për magjistraten Mimoza Margjeka, pasi nga aktet në dosje nuk rezulton që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit t’u jetë drejtuar këtyre institucioneve në funksion të marrjes së vendimit të tij nr. 739, datë 26.02.2024, për shkarkimin e saj nga detyra.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës për këtë gjykim, vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 180, datë 09.04.2024, “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtares Mimoza Margjeka” si dhe vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të Juridiksionit Disiplinor nr. 1/2026 (JD) datë 27.01.2026 për mospranimin e ankimit të magjistrates Mimoza Margjeka kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Provat e mësipërme iu vunë në dispozicion edhe përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi.
Pasi u njoh me provat, i pyetur nga kryesuesja, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale. Në vijim, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe e ftoi z. Xholi në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se, duke marrë parasysh që vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor ka marrë formë të prerë, rezulton se institucionet e juridiksionit të zakonshëm kanë përmbushur detyrimin kushtetues për dhënien e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra për magjistraten. Përfundimisht z. Xholi i kërkoi Kolegjit të deklarojë të përfunduar pa një vendim përfundimtar procesin e rivlerësimit për znj. Mimoza Margjeka, pasi ka humbur statusin e magjistratit.
Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 26.02.2026, ora 15:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
