Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 10.02.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024, për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
Kryesuesja e seancës gjyqësore bëri me dije se ditën e sotme, në Kolegj është depozituar një deklaratë e dërguar nga subjekti i rivlerësimit, z. Aurel Zarka, nëpërmjet së cilës ai bën me dije se ka zgjedhur të mos marrë pjesë në seancën gjyqësore, por të përfaqësohet në të nga avokati z. Julian Mërtiri.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi së vërehet devijim etik dhe profesional i subjekti i rivlerësimit në kuadër të kritereve të figurës dhe profesionalizmit dhe se z. Aurel Zarka nuk përmbush standardet kushtetuese dhe ligjore të integritetit të një magjistrati, duke qenë i papërshtatshëm për vijimin e detyrës, referuar nenit 61, pika 5 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi përfundimisht Kolegjit që së bashku me problematikat në kriterin e pasurisë, të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit në vlerësimin tërësor të çështjes sipas nenit 4, pika 2 të ligjit 84/2016, duke vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Aurel Zarka.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit Julian Mërtiri i vlerësoi si të pambështetura në ligj e në prova shkaqet e ankimit për kriterin e vlerësimit profesional e atë të pasurisë, ndërsa kundërshtoi si të parakohshme gjetjet dhe konstatimet për kriterin e figurës, pasi, sipas tij janë pjesë dhe bazohen vetëm në procedimin penal në ngarkim të z. Aurel Zarka. Përfaqësuesi ligjor deklaroi se një vendim i ndryshëm nga ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do të ishte i bazuar vetëm në aktet e një çështjeje penale nën shqyrtim, për të cilën ende nuk ka vendim të formës së prerë. Përfundimisht, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 05.03.2026, ora 16:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
