2025-12-04 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.12.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 45/2023, datë 12.10.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 682, datë 10.07.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Enklid Gjini.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe deklarimet e tij në deklaratat Vetting janë kontradiktore dhe fiktive, ndërsa lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë në kuadër të vlerësimit të përgjithshëm për të tria kriteret, gjetjet në ankim lidhur me ndërmarrjen e veprimeve hetimore nga ana e subjektit gjate ushtrimit të funksionit. Lidhur me kriterin e figurës, z. Klodjan Braho deklaroi se nisur nga referimi i agjencive ligjzbatuese, nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk janë hetuar plotësisht dhe në mënyrë të gjithanshme dy procedime penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit, për të përjashtuar eventualitetin e gjendjes së subjektit të rivlerësimit në kushtet e zbatimit të nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 682, datë 10.07.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Enklid Gjini.
Subjekti i rivlerësimit dha shpjegime të detajuara lidhur me ankimin, duke e kundërshtuar si të pabazuar në ligj e në prova, si një lexim selektiv, të paargumentuar që nuk e kalon testin e provueshmërisë dhe të proporcionalitetit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, duke i kërkuar Kolegjit të administrojë në cilësinë e provës akte të reja në mbështetje të pretendimeve të tij.
Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe subjekti i rivlerësimit ndanë të njëjtin qëndrim se ato nuk përmbajnë rrethana për hetime të mëtejshme.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor, duke marrë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit bashkëlidhur parashtrimeve dhe aktet e sjella në seancën e ditës së sotme, përvec aktit “Dokument i Bankës Amerikane të Investimeve”, i cili është pjesë e fashikullit të dosjes.
Lidhur me denoncimet, trupi gjykues vendosi të mos hetohet më tej, pasi nuk ka rrethana që plotësojnë kërkesat e nenit 53, ligjit 84/2026.
Lidhur me kontrollin e kriterit të figurës, trupi gjykues vendosi të njihet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të cështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese që e administrojnë atë.
Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe në funksion të vendimit të ndërmjetëm, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 15.12.2025, ora 9:00, duke i ftuar palët të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare. Në kuadër të qartësisë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues ftoi Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, apo përfaqësuesin e autorizuar të tij, që nëse e vlerësojnë të nevojshme, të mund të aksesojnë për konsultim në ambientet e Kolegjit dosjen e klasifikuar në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, e cila është e administruar në fashikullin e Komisionit, si pjesë përbërëse e tij, apo çdo veprim tjetër që ata do ta konsiderojnë të nevojshëm në funksion të qartësimit të kërkimit përfundimtar.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.