Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11 mars 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr.13/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Alma Brati.

Gjatë seancës së sotme, subjekti i rivlerësimit kërkoi të merren në cilësinë e provës dy dokumente të lëshuara nga institucione shtetërore rajonale italiane. Komisioneri Publik vlerësoi se këto akte nuk specifikojnë në detaj pjesët e burimeve të ligjshme të të ardhurave të secilit prej personave të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit. Trupi gjykues, në vijim të parashtrimeve, vendosi :

  1. Të lejojë marrjen e provave, të paraqituara nga subjekti i rivlerësimit, si më poshtë: dokumente të lëshuara nga institucionet përgjegjëse, të agjencisë “Entrate” lidhur me taksat e derdhura nga shtetasja M.P. për periudhën 2010-2016, dhe aktin zyrtar të lëshuar nga përmbaruesi shtetëror datë 7.2.2019, që vërteton faktin se subjekti M.P. nuk ka asnjë detyrim ndaj shtetit dhe as të tretëve.
  2. Të revokojë vendimin e ndërmjetëm të marrë nga trupi gjykues, më datë 18.12.2018, për të kërkuar aktet shkresore zyrtare për të ardhurat mujore, ku tregohen taksat e mbajtura nga shteti italian për persona të tjerë të lidhur: M.P. dhe L.P.
  3. Trupi gjykues, me shumicë votash vendosi të mos çelë hetimin lidhur me tre denoncimet e paraqitura në Kolegj, nga shtetasit: C.I., M.B. dhe B.R., për arsye se rrethanat e parashtruara nuk përbëjnë prova në lidhje me kriteret e vlerësimit.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike, më datë 25.3.2019, ora 10:00, qe ta njohë subjektin e rivleresimit me rezultatet e analizës financiare që do të kryejë Njësia e Shërbimit Ligjor pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, si rrjedhojë e provave të paraqituara  nga subjekti dhe prova të tjera të marra kryesisht nga trupi gjykues. ​

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.