Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 01.10.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.33/2018, datë 12.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Besnik Muçi.
Trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për marrjen si provë të informacionit të përcjellë nga DSIK pranë Komisionerit Publik më datë 16.11.2018, si dhe vendosi t’ia përcjellë këtë dokument subjektit të rivlerësimit, pasi të kenë përfunduar procedurat e deklasifikimit të tij.
Gjatë parashtrimit mbi vlerën provuese të provave të depozituara nga subjekti i rivlerësimit në seancën parardhëse, Komisioneri Publik deklaroi se as me këto këto akte të reja, subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së tij dhe të personave të lidhur me të.
Subjekti i rivlerësimit kërkoi marrjen si provë të dy dokumenteve të reja bankare në funksion të shqyrtimit të çështjes, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit për marrjen si provë të dokumentit të DSIK-së, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë organit kompetent që në një kohë sa më të arsyeshme, brenda limitit kohor prej 15 ditësh të përcaktuar me ligj, të kryejë deklasifikimin e dokumentit të konsideruar “sekret”.
Në pritje të përgjigjes së organit kompetent, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 16.10.2019, ora 12.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.