- 2828.March.Monday
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 28.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri.
Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit lidhur me kriterin e pasurisë, duke i kërkuar Kolegjit marrjen e tyre në konsideratë, çeljen e një hetimi gjyqësor, marrjen e provave përkatëse dhe llogaritjen e të dhënave në funksion të verifikimit të burimeve finaciare që kanë shërbyer për krijimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit, sipas kërkimeve të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit znj. Elbana Lluri paraqiti prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik si dhe denoncimet e publikut, duke i kërkuar Kolegjit të rimarrë në cilësinë e provës disa akte qe gjenden në fashikullin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe disa akte të reja paraqitura gjatë seancës së sotme në përgjigje të çështjeve të ngritura në denoncimet e publikut. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 342, datë 02.02.2021.
I pyetur nga kryesuesja, Komisioneri Publik shprehu dakordësinë për marrjen si provë të akteve të reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, duke lënë në çmim të gjykatës marrjen si provë të akteve që përsëriten.
Pasi vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i drejtoi disa pyetje sqaruese subjektit të rivlerësimit në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi:
– pranimin dhe marrjen në cilësinë e provës së akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, të cilat, nuk gjenden në dosjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
- kryerjen nga Kolegji të një analize financiare që do të mbështetet në shkaqet e ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, e cila do t’u vihet në dispozicion palëve para seancës së radhës, që u caktua të zhvillohet më datë 4 maj 2022, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Njoftime
Sot, më datë 28.03.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për zëvendësimin e gjyqtarit Ardian Hajdari, i caktuar anëtar në çështjen (JR) nr. 36/2020, datë 11.09.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit 241, datë 26.02.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Irena Gjoka.
Pas hedhjes së shortit, gjyqtari Ardian Hajdari është zëvendësuar nga gjyqtare Mimoza Tasi.
Zëvendësimi i gjyqtarit Ardian Hajdari është bërë për shkak të pezullimit të tij nga detyra me vendimin nr. 13, datë 07.02.2022 të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Përfundimisht, trupi gjykues i çështjes (JR) nr. 36/2020, datë 11.09.2020, do të ketë përbërjen që vijon:
Kryesues: Sokol Çomo
Relatore: Natasha Mulaj
Anëtarë: Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz
*******************************************************************
Sot, më datë 28.03.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për zëvendësimin e gjyqtarit Ardian Hajdari, i caktuar relator në çështjen (JR) nr. 37/2020, datë 16.09.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Spartak Çoçoli kundër vendimit 274, datë 16.07.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Zëvendësimi i gjyqtarit Ardian Hajdari është bërë për shkak të pezullimit të tij nga detyra me vendimin nr. 13, datë 07.02.2022 të Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Pas hedhjes së shortit, për caktimin e gjyqtarit anëtar dhe më pas, për relatorin, trupi gjykues i çështjes (JR) nr. 37/2020, datë 16.09.2020, do të ketë përbërjen që vijon:
Kryesuese: Rezarta Schuetz
Relatore: Albana Shtylla
Anëtarë: Ina Rama, Natasha Mulaj, Mimoza Tasi