- 3131.March.Thursday
Seance Publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 31.03.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 20/2020, datë 17.06.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Fatri Islamaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 220, datë 10.12.2019.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës bëri me dije se pas vendimit të ndërmjetëm për dhënien fund hetimit gjyqësor të çështjes, në fazën kur trupi gjykues ishte tërhequr për marrjen e vendimit përfundimtar, më datë 23 mars 2022, vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ka depozituar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit një opinion (mendim me shkrim) në funksion të shqyrtimit të çështjes për subjektin e rivlerësimit Fatri Islamaj.
Për këtë arsye, me vendim të ndërmjetëm, me shumicë votash, bazuar në nenin 315 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm për mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ta riçelë këtë hetim në funksion të vënies në dispozicion subjektit të rivlerësimit, opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar.
Për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të njihet dhe të mbajë një qëndrim lidhur me këtë opinion, seanca gjyqësore u shty për në datën 12 prill 2022, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 31.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.
Gjatë verfikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se Komisineri Publik z. Darjel Sina kishte njoftuar Kolegjin që për arsye objektive e kishte të pamundur të ishte i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore.
Në mungesë të tij, Komisioneri Public z. Florian Ballhysa, i pranishëm në seancë, deklaroi se në këtë rast, ishte bërë pjesë e seancës si përfaqësues i institucionit të Komisionerëve Publikë me të gjitha tagrat që përcakton ligji dhe la në çmim të gjykatës vijimin ose jo te procesit gjyqësor.
Pasi subjekti i rivlerësimit shprehu qëndrimin e tij për vijimin e seancës, trupi gjykues i konsultuar, me shumicë votash, vendosi të shtyjë seancën e sotme gjyqësore për shkak të pamundësisë për pjesëmarrje të vëzhguesit ndërkombëtar, i cili kishte kërkuar kohë shtesë për t’u njohur hollësisht me përmbajtjen e prapësimeve me shkrim të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.
Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 5 prill 2022, ora 10:00, në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.
Seance publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 31.03.2021, ora 12:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 42/2021, datë 27.07.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 363, datë 01.04.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elizabeta Imeraj.
Avokati i subjektit të rivlerësimit paraqiti qëndrimin e tij lidhur me gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke pretenduar se nuk i përmbushin kriteret për t’u pranuar në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj vijoi me prapësimet për të trija kriteret e vlerësimit referuar shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit të pranojë në cilësinë e provës të gjitha aktet e referuara prej saj në mbështetje të pretendimeve të ngritura.
Në vijim, Komisioneri Publik iu përgjigj disa pyetjeve të avokatit të subjektit të rivlerësimit lidhur me gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke deklaruar se përfshirja e gjetjeve si provë në ankim, bazohet në nenin “b” të Aneksit të Kushtetutës, si dhe në pikën 10, të nenit 49, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Procesi gjyqësor vijoi me një seancë pyetje – përgjigjesh mes vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të çështjes (JR) 42/2021, datë 27.07.2021 në Kolegj dhe subjektit të rivlerësimit, lidhur me kriterin e pasurisë dhe atë të figurës.
Për shkak të kohëzgjatjes së seancës, trupi gjykues vendosi ta shtyjë atë për ditën e nesërme, më datë 1 prill 2022, ora 11:00, ku do të vijohet me përgjigjet e disa pyetjeve të tjera drejtuar Komisionerit Publik, të cilat, subjekti i rivlerësimit dhe avokati i depozituan para përfundimit të seancës së sotme gjyqësore.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.