- 2525.April.MondayNo events
- 2626.April.Tuesday
Seance publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 22/2020, datë 26.06.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 229, datë 28.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Banushi.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm, ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e të pasurisë dhe se nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë. Bazuar në parashikimet e nenit F, pikat 3 dhe 7, të aneksit të Kushtetutës, nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Banushi.
Subjekti i rivlerësimit, z. Dritan Banushi, paraqiti prapësimet e tij lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor në funksion të një gjykimi të plotë e të drejtë, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e reja që subjekti i rivlerësimit paraqiti gjatë seancës së sotme gjyqësore, në mbështetje të parashtrimeve të tij.
Me kërkesë të trupit gjykues, Komisioneri Publik paraqiti qëndrimin e lidhur me denoncimet e publikut, për të cilat u shpreh se nuk përmbajnë fakte dhe rrethana për shkelje ligjore, sipas kritereve të rivlerësimit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
- Riçeljen e hetimit dhe marrjen në cilësinë e provës të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë seancës së gjyqësore në mbështetje të prapësimeve të tij.
- T’i kërkojë Komisionerit Publik të paraqesë në Kolegj, brenda datës 10 maj 2022, analizën financiare për vitet 2003 – 2016 në kuadër të shkaqeve të ankimit. Kolegji sapo të administrojë këtë analizë do t’ia përcjellë subjektit të rivlerësimit.
- Lidhur me denoncimet, nuk u gjendën fakte dhe rrethana të vlefshme për hetime të mëtejshme, ndërkohë që një denoncim i ri nga publiku, ishte depozituar gjatë ditës së sotme në Kolegj.
Për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të njihet me analizën financiare që do të përgatisë Komisioneri Publik dhe të mbajë qëndrim lidhur me të, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 20 maj 2022, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.
- 2727.April.Wednesday
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.42/2021, datë 27.07.2021, që lidhet me ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 363, datë 01.04.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elizabeta Imeraj.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 363, datë 01.04.2021, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Elizabeta Imeraj.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 27.04.2022.
- 2828.April.Thursday
Seance publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 28.04.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2021, datë 30.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti kërkesën paraprake për njohjen me arsyetimin e vendimeve të Kolegjit lidhur me rrëzimin e kërkesave së saj për përjashtimin e disa prej anëtarëve të trupit gjykues përpara fillimit të diskutimeve paraprake të palëve.
Pasi u konsultua, bazuar në nenet 75, pika 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit, sa i përket ndërprerjes së seancës gjyqësore, por t’i japë mundësinë subjektit të rivlerësimit, që në një kohë të përshtatshme, të njihet me aktet procedurale që kanë të bëjnë me vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me kërkesat e saj për përjashtimin e disa prej anëtarëve të trupit gjykues.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti edhe një kërkesë tjetër paraprake bazuar në nenin 297/a të Kodit të Procedurës Civile për pezullimin e gjykimit të çështjes në Kolegj, derisa të përfundojë një çështje tjetër penale, e ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Subjekti i rivlerësimit depozitoi edhe dy akte shkresore në mbështetje të kësaj kërkese.
Duke mbajtur qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë, Komisioneri Publik deklaroi se ajo nuk gjendet në kushtet e nenit 297/a të Kodit të Procedurës Civile, pasi procesi i rivlerësimit kalimtar është një proces i ndarë nga çdo lloj tjetër procesi dhe rrjedhimisht, gjykimi në Kolegj duhet të vazhdojë.
Pasi dëgjoi qëndrimin e Komisionerit Publik dhe pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit, me arsyetimin se gjykimi në Kolegj është i një natyre të posaçme dhe nuk ka mbivendosje me procese të natyrave të tjera; për pasojë kërkesa nuk bazohet në kushtet e parashikuara në nenin 297/a të Kodit të Procedurës Civile. Si pasojë, trupi gjykues vendosi vijimin e procesit gjyqësor në Kolegj.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik i parashtroi Kolegjit kërkesën për kryerjen e një hetimi të plotë mbi çështjen nëpërmjet administrimit të dokumenteve dhe informacioneve shtesë në funksion të shqyrtimit të ankimit. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit që, pasi të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe pas vlerësimit të plotë të rezultateve të hetimit, të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose lënien në fuqi të këtij vendimi.
Në vijim, gjyqtarja relatore e çështjes i drejtoi Komisionerit Publik disa pyetje sqaruese në lidhje me ankimin.
Në kushtet kur trupi gjykues e konsideroi të një rëndësie thelbësore për zhvillimin e gjykimit, qartësimin nga Komisioneri Publik të shkaqeve të ankimit, i kërkoi Komisionerit Publik që sqarimet, t’i paraqesë me shkrim. Për këtë arsye seanca gjyqësore u shty për në datën 19 maj 2022, në orën 12:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.
- 2929.April.Friday
Dhomë këshillimi
Ditën e premte, më datë 29.04.2022, ora 10:30, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 25/2020, datë 26.06.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Simon Pashuku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 213, datë 22.11.2019.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
Kryesuese: Rezarta Schuetz
Relatore: Ina Rama
Anëtarë: Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo
Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Njoftim
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 19/2022, datë 20.04.2022 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Flutura Hoxha kundër vendimit nr. 513, datë 25.02.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Sot, në datën 29.04.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.
Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:
Kryesues: Sokol Çomo
Relatore: Natasha Mulaj
Anëtarë: Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.25/2020, datë 02.06.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Simon Pashuku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 213, datë 22.11.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 213, datë 22.11.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Simon Pashuku.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 29.04.2022.
- 3030.April.SaturdayNo events
- 0101.May.SundayNo events