< 2022 >
May 10
  • 10
    10.May.Tuesday

    Seance publike

    09:00 -18:00
    2022.05.10

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 10.05.2022, ora 09:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).

    Gjatë verifikimit të pranisë së palëve, gjyqtarja kryesuese e seancës njoftoi palët se I.E.V.P. Ali Demi ka njoftuar me anë të një shkrese të dërguar ditën e sotme përpara fillimit të seancës publike se ankuesja nuk mund të jetë e pranishme në seancë për shkaqe shëndetësore dhe psikologjike. Kolegji kreu verifikimet përkatëse në lidhje me shkakun e paraqitur nga ankuesja për të mos qenë e pranishme në këtë seancë, dhe nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mori njoftim në rrugë elektronike se mjeku i I.E.V.P. ka konkluduar se ankuesja është në gjendje të mirë shëndetësore.

    Duke patur parasysh sa më sipër, si dhe faktin se asnjë nga avokatët e përzgjedhur nga ankuesja sipas prokurës përkatëse nuk kanë paraqitur asnjë shkak për pamundësinë e tyre objektive për të marrë pjesë në seancë, pasi mori dhe mendimin e palëve të interesuara, përfaqësuesve të KLGJ dhe ILD, për vazhdimin e seancës, gjykata, pasi u konsultua, bazuar në nenin 38, pika 5 të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar) vendosi vijimin e gjykimit në mungesë, duke i ftuar palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

    Në parashtrimin e konkluzioneve të tij përfundimtare, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor vlerësoi si të pambështetura pretendimet e magjistrates të paraqitura në ankim dhe përgjatë seancave gjyqësore, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimmarrjes së KLGJ.

    Përfaqësuesja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u shpreh gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare se procedura e ndjekur në procesin disiplinor ka qenë në përputhje me procesin e rregullt ligjor, dhe se veprimet dhe mosveprimet e magjistrates janë konsideruar shkelje shumë të rënda disiplinore që kanë sjellë dhe shkarkimin e saj nga detyra, duke kërkuar në përfundim rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të KLGJ.

    Gjykata, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të subjekteve procedurale në këtë gjykim, vendosi të mblidhet në seancë në dhomë këshillimi për të vijuar me diskutimet për vendimmarrje lidhur me çështjen si dhe u bëri me dije palëve pjesëmarrëse në këtë gjykim se do të njoftohen nga sekretaria gjyqësore për datën e shpalljes së vendimit.

    Seance publike

    13:00 -16:00
    2022.05.10

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.05.2022, ora 09:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me palëve të interesuar, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

    Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi palët se ankuesi dhe avokati i tij kishin depozituar disa akte shkresore, duke kërkuar administrimin e tyre në cilësinë e provës.

    Pasi përfaqësuesit e palëve të interesuara u njohën me këto akte, ato kërkuan mospranimin e akteve për shkak se ato nuk kanë lidhje me objektin e procedimit disiplinor, ndërkohë që avokati i ankuesit kërkoi në seancë edhe pranimin e një dokumenti të marrë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, në funksion të gjykimit.

    Pasi u konsultua, gjykata vendosi të administrojë aktet e depozituara, duke përfshirë edhe dokumentin e paraqitur në seancë.

    Në vijim të seancës, pasi palët u shprehën se ato nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, Gjykata vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.

    Avokati i ankuesit kërkoi që në këtë fazë të procesit t’u drejtojë pyetje palëve të interesuara, në bazë të nenit 43 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Gjykata, pasi u konsultua në dhomë këshillimi, vendosi rrëzimin e kërkesës, pasi e drejta e palëve për t’i drejtuar pyetje njëra tjetrës ishte ezauruar në kuadër të këtij gjykimi si dhe pyetjet nuk u konsideruan të dobishme lidhur me çështjen, duke ftuar palët për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

    Në vijim të gjykimit, ankuesi paraqiti në mënyrë të njëpasnjëshme disa kërkesa proceduriale si, pezullimin e gjykimit deri në përfundim të procesit të tij të rivlerësimit, përjashtimin nga gjykimi të gjyqtares kryesuese të seancës, (shkaqet dhe arsyet e së cilës do t’i paraqesë në vijim me shkrim), kërkoi shtimin e objektit të ankimit (të cilin gjithashtu do ta paraqiste me shkrim më vonë), si dhe kërkoi të mbrohej me avokat mbrojtës, pasi avokati i tij u largua nga seanca që po zhvillohej në Kolegj.

    Gjykata, pas marrjes së qëndrimit të palëve të interesuara, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, të cilët kërkuan rrëzimin e këtyre kërkesave, pas konsultimeve për çdo kërkim, vendoi rrëzimin e tyre, duke i konsideruar ato haptazi të pabazuara në ligj, dhe si të tilla abuzive, si dhe për qëllim zvarritjen e procesit. Lidhur me kërkesën e ankuesit për përjashtimin e gjyqtares kryesuese, gjykata vendosi vijimin e seancës në bazë të nenit 75, paragrafi 5 i Kodit të Procedurës Civile, duke e ftuar ankuesin të paraqesë këtë kërkesë me shkrim brenda tre ditëve pranë Kolegjit, si dhe i bëri me dije që Mbledhja e Gjyqtarëve do të shqyrtojë këtë kërkesë në përputhje  me nenin 37 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar.

    Pas vendimmarrjeve të mësipërme, kryesuesja ftoi edhe njëherë ankuesin për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Ankuesi vijoi me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare verbalisht.

    Gjykata, për shkak të kohëzgjatjes së konsiderueshme të seancës gjyqësore, me qëllim që të gjitha subjektet procedurale në këtë gjykim të paraqisnin me qartësi konkluzionet e tyre përfundimtare, si dhe për të garantuar vëmendjen e ndjekjes së tyre nga çdo subjekt, vendosi të ndërpresë seancën, për ta vijuar atë më datë 10 maj 2022, ora 13:00, gjatë së cilës ankuesi vijoi paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, duke i qëndruar përfundimisht përcaktimeve në ankim si dhe konstatimin absolutisht të pavlefshëm të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë KLP.

    Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë u shpreh se vendimi i KLP është i drejtë dhe kërkoi lënien e tij në fuqi, ndërkohë që përfaqësuesja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u shpreh ndër të tjera gjatë parashtrimeve të konkluzioneve përfundimtare se veprimet dhe mosveprimet e magjistratit kanë çuar në shkelje që diskreditojnë jo vetëm pozitën e tij, por kanë cënuar edhe besimin e publikut te drejtësia, duke kërkuar përfundimisht rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

    Kolegji, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të subjekteve procedurale në këtë gjykim, vendosi të mblidhet në seancë në dhomë këshillimi për të vijuar me diskutimet për vendimmarrje lidhur me çështjen si dhe u bëri me dije palëve pjesëmarrëse në këtë gjykim se do të njoftohen nga sekretaria gjyqësore për datën e shpalljes së vendimit.