- 2222.June.Wednesday
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik pranoi disa nga pretendimet e subjektit të rivlerësimit për kriterin e pasurisë, por në tërësi, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurisë së saj. Përfundimisht, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, deklaroi se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj ka arritur të provojë në mënyrë të pakontestueshme burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë, duke arritur nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 6 korrik 2022, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Mimoza Tasi anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 14/2021, datë 30.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 325, datë 14.12.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 325, datë 14.12.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Rilinda Selimi dhe shkarkimin e saj nga detyra.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 22.06.2022.
Seance publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.06.2021, ora 14:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, çmoi të drejtë njërin prej pretendimeve të subjektit të rivlerësimit për kriterin e pasurisë, por në tërësi, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe se gjatë gjykimit të çështjes në Kolegj nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit. Komisionerja Publike deklaroi se u qëndronte shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, duke i kërkuar Kolegjit të vlerësojë rastin nën optikën e nenit 61/5, të ligjit nr. 84/2016. Përfundimisht, Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, z. Gerd Hoxha kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke deklaruar se janë të pabazuara në ligj dhe në prova dhe se Kolegji nuk duhet t’i marrë në konsideratë. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se arrin nivel të besueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë e atë të figurës, si dhe nivel të mirë kualifikues për kriterin e aftësive profesionale. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit, që në vlerësim të plotë të provave dhe shpjegimeve të dhëna prej tij gjatë procesit të gjykimit, të vendosë lënien në fuqi të vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 6 korrik 2022, ora 16:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Njoftime
Ditën e hënë, më datë 25.07.2022, ora 10:00, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 27/2020, datë 09.07.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Gjovalin Përnoca kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 196, datë 13.09.2019.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
Kryesuese: Albana Shtylla
Relatore: Natasha Mulaj
Anëtarë: Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo
Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
******************************************************************************
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 26/2022, datë 16.06.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Eriselda Bala kundër vendimit nr. 523, datë 07.04.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Sot, në datën 22.06.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.
Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:
Kryesues: Sokol Çomo
Relatore: Ina Rama
Anëtarë: Rezarta Schuetz, Albana Shtylla, Mimoza Tasi
********************************************************
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 20.06.2022, është regjistruar çështja JD nr. 2/2022, me ankuese Belina Kryemadhi dhe me objekt:
– Ndryshimin e vendimit nr. 20, datë 31.01.2022, “Për caktimin e masës disiplinore ndaj magjistrates Belina Zeneli (Kryemadhi) Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër”, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
– Kthimin në detyrën e prokurores pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Dibër.
Në datën 22.06.2022 u hodh shorti për caktimin e relatorit dhe anëtarëve të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:
Sipas shortit, rezultojnë të jenë anëtarë të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:
Gjyqtare: Ina Rama
Gjyqtare: Rezarta Schuetz
Relator i çështjes: Sokol Çomo