• 27
    27.July.Wednesday

    Seance publike

    09:00 -14:00
    2022.07.27

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.07.2022, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 29/2020, datë 16.07.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ardit Mustafaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 245, datë 05.03.2020.

    Subjekti i rivlerësimit u dëgjua nga trupi gjykues, teksa paraqiti kundërshtimet e tij ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 245, datë 05.03.2020, duke deklaruar se ky vendim, i bazuar në shkaqe që lidhen vetëm një kriter, atë të pasurisë, është i njëanshëm, me konstatime të gabuara, arbitrare dhe në kundërshtim të plotë me parimin e proporcionalitetit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja, për të cilat, deklaroi se nuk janë paraqitur gjatë procesit administrativ në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, jo për faj të tij.

    Në vijim, trupi gjykues, i konsultuar, vendosi:

    – Të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në fashikullin gjyqësor, aktet e përcjella nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

    – Me shumicë votash, bazuar në nenin 47, të ligjit 49/2012 si dhe në nenet 45 dhe 49 të ligjit 84/ 2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të administrojë në cilësinë e provës aktet, të cilat subjekti i rivlerësimit i ka paraqitur në ankim, në parashtrime dhe në shpjegimet e depozituara në seancën e sotme, për objektin “ndërtesë”, 1+1, në Sarandë.

    – Të administrojë në fashikullin gjyqësor të çështjes një akt ekspertimi, të përpiluar në shkurt 2020, të paraqitur në seancën e sotme, pavarësisht se nuk përbën provë të re.

    – Me shumicë votash, të pranojë si provë dokumentet që lidhen me të ardhurat e bashkëshortes nga mësimdhënia, dhuratat nga prindërit e personit të lidhur, depozitën e kursimit në Bankën e Kursimeve, të cilat janë specifikuar në shpjegimet e depozituara në seancën e sotme.

    – Aktet e titulluara “të tjera”, trupi gjykues i konsideron si akte procedurale të administruara në fashikullin gjyqësor, në funksion të vendimit që ai ka marrë për gjykimin e kësaj cështjeje në seancë publike.

    – Trupi gjykues vendosi të refuzojë të marrë në cilësinë e provës aktet, të cilat nuk plotësojnë kërkesat e nenit 47 të ligjit 49/2012 dhe që konsiderohen si të panevojshme, në kuptim të nenit 49 të ligjit 84/2016, dhe që lidhen me një hua të marrë nga subjekti i rivlerësimit, uljen e shpenzimeve për jetesën dhe joproporcionalitetin e ndërhyrjes në të drejtën private dhe familjare, të specifikuara në shpjegimet e depozituara në seancën e some, si dhe ato prezantuara sot nga subjekti i rivlerësimit në lidhje me huanë.

    Pas vendimit të ndërmjetëm, duke qenë se subjekti i rivlerësimit nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjukues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të cështjes dhe e ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqesë konkluzionet përfundimtare.

    Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të rrëzojë konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për deklarim të pamjaftueshëm dhe mungesë burimesh të ligjshme lidhur me kriterin e pasurisë, pasi sipas tij, bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe jurisprudencën e Kolegjit. Në referencë të vendimit të KPK-së, subjekti i rivlerësimit deklaroi se masa e largimit të tij nga detyra nuk është proporcionale në raport me qëllimin që synon të arrijë ligji 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 245, datë 05.03.2020 dhe konfirmimin në detyrë, duke ndryshuar konkluzionet e KPK-së për vlerësimin e kriterit të pasurisë dhe duke vlerësuar se ka arritur nivel të besueshëm edhe në këtë kriter.

    Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 21 shtator 2022, ora 13:00.

    Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.

    Njoftim vendimi

    15:00 -16:00
    2022.07.27

    Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 9/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 491, datë 21.12.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gjon Kodra.

    Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

    1. Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 491, datë 21.12.2021 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gjon Kodra.
    2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

     

    U shpall sot, në Tiranë, më datë 27.07.2022.