Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 06.07.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2021, datë 26.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit të subjektit të rivlerësimit Irena Brahimi kundër vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, kryesuesja bëri me dije se nga Gjykata e Lartë kishte mbërritur në Kolegj dhe u ishte pëcjellë palëve, dosja gjyqësore e çështjes penale, që lidhet me informacionin e publikuar nga një portal mediatik, pjesë e debatit gjyqësor në kuadër të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit. Kryesuesja bëri me dije gjithashtu, se në Kolegj kishte mbërritur dhe u ishte përcjellë palëve, kërkesa e një shtetaseje, me inicialet K.M, e cila kishte përcjellë informacion lidhur me një çështje të gjykuar nga subjekti i rivlerësimit.

Ndërsa mbajti qëndrimin e tij lidhur me dokumentacionin e dërguar nga Gjykata e Lartë, Komisioneri Publik deklaroi se pasi analizoi fashikujt gjyqësorë të çështjes penale, i rezultoi se në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, informacioni i publikuar nga portali mediatik nuk përmbush kriteret për t’iu nënshtruar hetimeve të mëtejshme në Kolegj. Sa i përket çështjes penale, Komisioneri Publik deklaroi se vendimmarrja mbi të, do të duhet të kontrollohet nga Gjykata e Lartë, aty ku çështja pret të shqyrtohet.

Lidhur me kërkesën e shtetases, Komisioneri Publik deklaroi se e lë në çmim të gjykatës vlerësimin për hetime të mëtejshme.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, përsëriti qëndrimin e saj se në informacionin e publikuar në portalin mediatik, nuk ka rrethana të mjaftueshme për hetime të mëtejshme në Kolegj, gjithashtu, edhe kërkesa e shtetases nuk përmbush kriteret e një denoncimi, sipas nenit 53, të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, depozitoi disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.

Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës fashikujt e përcjellë nga Gjykata e Lartë për çështjen penale, si dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit në seancën e sotme gjyqësore.

Për sa i përket kërkesës së shtetases me iniciale K.M, trupi gjykues vlerësoi se ajo nuk përmban elementët e kërkuara nga neni 53, i ligjit 84/2016 dhe si e tillë, nuk do t’i nënshtrohet hetimit gjyqësor të çështjes.

Në kushtet kur palët nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën gjyqësore të datës 19 korrik 2023, ora 11.30.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.