Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 21 mars 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.14/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.47, datë 25.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Astrit Faqolli.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit i konsideroi pretendimet e Komisionerit Publik të pabazuara. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se qëndrimi mohues i Komisionerit Publik ndaj provave të reja që subjekti i rivlerësimit paraqiti pranë trupit gjykues, është një qasje jo e drejtë për një vendim të paanshëm. Rrjedhimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit lënien në fuqi të vendimit nr. 47, datë 25.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare, vendosi të shpallë vendimin përfundimtar ditën e enjte, më datë 18.04.2018, ora 09.00. Trupi gjykues sqaroi se kjo datë për shpalljen e vendimit është caktuar për arsye objektive, të lidhura me mungesën e një anëtari të trupit gjykues.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.