Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 18.01.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 72/2021, datë 23.11.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 442, datë 14.09.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Juljan Çafka.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, në referencë të një denoncimit të publikut, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, të kërkojë administrimin e dosjeve të disa çështjeve penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit, si dhe të kryejë vlerësime të mëtejshme lidhur me çështjen.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi ankimin si të pabazuar në ligj dhe në procesin e rregullt ligjor, duke deklaruar se nuk ka për bazë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por fakte të reja, të pahetuara më parë. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të vendosë lënien në fuqi të vendimit nr. 442, datë 14.09.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi të ketë shqyrtuar çështjet e ngritura në ankimin e Komisionerit Publik.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke i kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër përcjelljen e dosjeve të disa çështjeve penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit, me qëllim administrimin e tyre.
Trupi gjykues ftoi palët në proces, që në seancën e ardhshme, më datë 26.01.2024, ora 9:00, të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me denoncimet e publikut, përfshi edhe disa denoncime të mbërritura ditën e sotme në Kolegj, të cilat do t’u përcillen palëve sapo të jetë e mundur.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.