Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.01.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 33/2023, datë 20.07.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 671, datë 14.06.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ylli Bashaj.
Në vijim të detyrave të ngarkuara gjatë seancës së mëparshme, Komisionerja Publike mbajti qëndrimin e saj lidhur me gjetjet dhe opinionin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Komisionerja Publike evidentoi përmbajtjen e gjetjeve dhe i adresoi ato në shkaqet e ankimit.
I pyetur nga kryesuesja e seancës, subjekti i rivlerësimit deklaroi se do të shprehet lidhur me qëndrimin e Komisioneres Publike dhe çështjen në tërësi, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të çështjes.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke ftuar palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e ardhshme, më datë 26.01.2024, ora 12:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.