Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 26 mars 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr. 9/2018, datë 19.07.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, me qëllim justifikimin e shpenzimeve të udhëtimeve private jashtë shtetit, subjekti i rivlerësimit paraqiti një pjesë të dokumenteve origjinale të kërkuara nga trupi gjykues seancën e kaluar, por të palegalizuara.

Komisioni Publik deklaroi se do të shprehet për dokumentacionin e paraqitur nga subjekti i rivleresimit, vetëm pasi ai të depozitohet me vulë apostile, në formën e kërkuar nga ligji.

Subjekti i rivlerësimit që pretendoi se dokumentet janë në proces legalizimi në shtetin italian, kërkoi nga trupi gjykues shtyrjen e seances për tri javë, për përfundimin e këtij procesi.

Për t’i dhënë kohën e mjaftueshme subjektit të rivlerësimit për të paraqitur dokumentacionin në formën e kërkuar nga ligji, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e mërkurë, më 17.04.2019, ora 10.00.

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.